Lajme

Komandanti i KFOR-it viziton trupat e vendosura në Jarinjë e Bërnjak

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Franco Federici

Komandanti i misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO, Gjeneral Major Franco Federici, ka vizituar njësitë e KFOR-it të vendosura në pikat e kalimit Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës, njofton Shqip.com.

Federici thotë se KFOR-i është i gatshëm të kryejë detyrën e rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal e rajonal.

“Njësitë e KFOR-it janë plotësisht të gatshme për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal dhe rajonal,” thuhet në komunikatën e KFOR-it, të ketë thënë Federici.

“Në ditët e kaluara kam zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira dhe kam ofruar përditësime të rregullta për Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe zinxhirin tim komandues të NATO-s”, ka shtuar ai.

“Falënderoj institucionet në Kosovë, kryetarët e komunave veriore dhe të gjithë akterët që kanë kontribuar në de-përshkallëzimin e situatës për përpjekjet e tyre, dhe mezi pres të mbetem në kontakt me ta,” tha mes tjerash gjeneralmajor Federici.

Derisa gjenerali i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimit me Lajçakun të premten, ka thënë se NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator, për dy javët e ardhshme trupat e KFOR-it do të qëndrojnë në pikëkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Njësia Speciale në Veriun e Kosovës

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën shoë”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Baneri “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe” në Jarinje

Gjatë asaj kohe, edhe Serbia nuk qëndroi duarkryq. Mediat serbe publikuan disa pamje ku shiheshin dhjetëra autoblinda që u nisën për në kufi.

Derisa gjithçka po ndodhte në vazhdimësi, aleatët ndërkombëtarë bënin thirrje vazhdimisht për ulje të menjëhershme të tensioneve. Thirrjet ishin pothuajse të njëjta sikurse nga Bashkimi Evropian, edhe nga SHBA-të e vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan nga palët që të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Madje, ambasadorët e këtyre të fundit i priti në takim kryeministri Kurti, pas së cilit bëri të ditur se vendimi i marrë të hënën do të qëndrojë derisa pala serbe të veprojë sikurse Kosova deri tani, ose që të dyja vendet të vazhdojnë me këtë masë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë kërkuar të përjashtohen nga reciprociteti me targa, por si përgjigje nga kryeministria e Kosovës gjetën “kompenzimin që do t’u bëhet shumë shpejt bashkëkombasve që do të dëmtohen nga ky vendim”.

Ditët kalonin dhe situata çdo herë vinte e bëhej edhe më e paqartë se çfarë do të ndodhë në vijim. Ushtria serbe nisi provokimet e saj edhe nga ajri.

Për dy ditë me radhë janë parë disa helikopterë serbë duke vëzhguar situatën brenda kufirit të Kosovës, me ç’rast bënë që të reagojë edhe misioni i NATO-s, KFOR, i cili shpeshtoi patrullimet deri në momentin kur edhe u arrit marrëveshja për të vëzhguar terrenin që kishte në dorë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për dy javë rresht. /Shqip.com