Lajme

Komandanti i KFOR-it takohet me Sveçlën diskutojnë për situatën e sigurisë

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia gjatë mbrëmjes së sotme ka zhvilluar takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ky takim vjen disa orë pasi Kosova dhe Serbia nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshje për çështjen e targave në Bruksel.

Në komunikatën e KFOR-it, thuhet se palët duhet që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës.

“KFOR-i mbetet vigjilent dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, me të gjitha kapacitetet e tij në dispozicion, për një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit” thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Po ashtu Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka komentuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të zhvilluar gjatë ditës së sotme në Bruksel.

Szunyog është shprehur se duhet të ruhet paqja dhe të sigurohet që konflikt të mos kthehet kurrë në Ballkanin Perëndimorë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në fjalën e tij, Kurti ka akuzar Josep Borrell për mos arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka dështuar të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ndërsa nisi rreth orës 10:00.

/Shqip.com