Lajme

Komandanti i KFOR-it me videomesazh: Do të reagojmë nëse kërcënohet stabiliteti

“KFOR-i do të vazhdojë të kryejë misionin e tij dhe është plotësisht i përgatitur, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, të veprojë, nëse kërcënohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes, për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, për të mirën e sigurisë në mbarë Kosovën, si dhe në dobi të stabilitetit rajonal”, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia vetëm tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. 

Ai këtë porosi e dërgoi nga Brukseli.

Gjenerali Ristuccia, u takua në selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Aleance Mircea Geoana, si dhe me të gjithë ambasadorët e anëtarëve të NATO-s dhe partnerët e vendeve të tjera që kanë trupa në KFOR.

Takimi që Ristuicca ka mbajtur në Bruksel me udhëheqësit më të lartë të NATO-s është zhvilluar tri ditë para mbajtjes së planifikuar të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.

Serbët kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, ndërsa autoritetet kosovare konfirmojnë se zgjedhjet do të mbahen.

Në margjinat diplomatike, çështja e zgjedhjeve konsiderohet të jetë një çështje e nxehtë politike dhe e sigurisë.

/Shqip.com