Sport Shqiptar

KOK: Jemi të shqetësuar për ndalimin e hyrjes së boksierëve kosovar në Serbi

Boksierët që u ndaluan të hyjnë në Serbi

Komiteti Olimpik i Kosovës është shprehur i shqetësuar pas lajmit se ekspedita e boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që mbahet nga 24 tetor deri më 6 nëntor në Beograd, përcjell Shqip.com.

Përmes një njoftimi, Komiteti ka treguar se ekspedita ishte nisur orët e hershme të mëngjesit për të kaluar përmes kufirit në Konçul, por përkundër pritjeve, ata janë kthyer prapa për në Prishtinë.

Komiteti Olimpik i Kosovës

Tutje, KOK ka treguar se drejtuesit e tyre, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente, që Kosova të garojë barabartë me shtetet tjera.

“Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe ekipi i boksit të Kosovës të niset sërish drejt Beogradit për të garuar i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse në botëror”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, KOK tha se kanë kontaktuar me drejtuesit e Federatës Botërore të Boksit, nga të cilët kanë marrë premtimin se do të marrin masa të menjëhershme për t’iu mundësuar boksierëve nga Kosova hyrjen në Serbi.

“KOK, po ashtu ka kontaktuar me drejtuesit e AIBA-s (Federata Botërore e Boksit), nga të cilët ka marrë premtimin se do të marrin masa të menjëhershme për t’iu mundësuar  boksierëve tanë hyrjen në Serbi dhe pjesëmarrjen me të drejta të barabarta, ashtu siç kanë premtuar pas kontakteve të vazhdueshme me Federatën e Boksit të Kosovës, me të cilët drejtuesit e KOK-ut janë po ashtu në kontakt të vazhdueshëm.

Ekspedita e boksit përbëhet nga tre boksierët, Patrit Behrami, Shpëtim e Bashkim Bajoku, përzgjedhësi Besim Brahimi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli”, thuhet ndër tjerash në njoftim./SHQIP.com