Sport Shqiptar

KOK feston 30 vjetorin e themelimit

Të premten Komiteti Olimpik i Kosovës feston 30 vjetorin e themelimit.

Më 27 maj të vitit 1992 në objektin e Rilindjes në Prishtinë u themelua KOK, në pranin e shumë emrave të njohur të sportit.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, shpreh mirënjohjen e thellë dhe falënderimet e panumërta për të gjithë ata që kontribuuan dhe u mblodhën për ta themeluar KOK-un.

“I falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që morën guximin dhe u mblodhën për të themeluar KOK-un, duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre nga regjimi serb, i cili me arrestime dhe burgosje të kontribuuesve të sportit, tentonte të ndalonte çdo veprimtari tonën sportive. 27 maji i vitit 1992, është datë me rëndësi të veçantë për lëvizjen olimpike, pasi themelimi i KOK-ut u hapi rrugën edhe shumë federatave sportive, të cilat nisën veprimtarinë e tyre të pavarur nga sporti i ish-Jugosllavisë”, tha presidenti Krasniqi.

Kryesia e parë e KOK-ut përbëhej nga nëntë anëtarë si: Veton Surroi (kryetar), Prof. Dr. Behlul Brestovci (nënkryetar), Prof. Dr. Esat Staviceli (basketboll), Aziz Salihu (boks), Fahri Buçinca (hendboll) dhe Hysen Rakovica (FKF), derisa një anëtar u zgjodh më vonë.

Këshilli mbikëqyrës u përbë nga Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu. Krahas anëtarëve, që vinin kryesisht nga sportet olimpike, u zgjodhën edhe punëtorët dhe ish-sportistët meritorë si: Fadil Vokrri, Hysen Syla, Mustafë Syla, Muhamet Berisha, Mehmet Bogujevci, Sefedin Reçica, Agim Kasapolli dhe Isak Latiti./Shqip.com