Sport Ndërkombëtar

Koeman: Barça jeton në të kaluarën me 4-3-3 dhe tiki-taka

Ronald Koeman

Ish-treajneri i Barcelonës nuk kurseu me kritika as presidentin e klubit, Joan Laporta.

Pushimin e tij deri në janar, kur do ta marrë në drejtim kombëtaren e Holandës, Ronald Koeman ka vendosur ta shfrytëzojë duke dhënë intervista për Barcelonën.

Ish-trajneri i klubit katalanas, ka dhënë një intervistë për mediumin ‘CatalunyaRadio’, ku ka sqaruar dhe komentuar rreth të kaluarës dhe planeve të tanishme të klubit.

Ronald Koeman, sa ishte trajner i Barcelonës

Ai foli fillimisht rreth thashethemeve për transferimin e Frenkie De Jong në Manchester United, duke u treguar i qartë se lojtari nuk do të largohet.

“Gjithçka që di është se Frenkie dëshiron të qëndrojë në Barcelonë. Ai tha disa ditë më parë se dëshiron të qëndrojë. Ajo që unë nuk e di është nëse Barça dëshiron të shesë Frenkie ose ka nevojë për para sepse ai është një nga lojtarët e paktë për të cilin mund të marrë një tarifë të lartë. Për mua, Frenkie është një lojtar i madh për Barçën”, tha ai.

Ronald Koeaman dhe Frenkie De Jong, FC Barcelona

Më tutje, Koeman komentoi stilin dhe traditat e Barcelonës, gjë që mund të konsiderohet e pakëndshme për fansat e klubit.

“Unë jam për dominimin e ndeshjeve. Nëse luan me tre qendërmbrojtës dhe pesë mbrojtës, nuk mund të thuash se është një sistem mbrojtës”, tha ai.

“Me këtë sistem, për tre apo katër muaj kemi luajtur ndeshjet më të mira të viteve të fundit. Shembulli më i qartë ishte finalja e Copa del Rey kundër Athletic. Barça jeton në të kaluarën me 4-3-3 dhe tiki-taka. Futbolli është më i shpejtë…më fizik. Nuk mund të jetosh në të kaluarën,” vazhdoi Koeman.

Holandezi nuk hezitoi të komentonte edhe rreth presidentit aktual të Barçes, Joan Laportan, i cili kishte folur haptazi në media edhe pasi e shkarkoi trajnerin.

“Një president gjithmonë mund të dyshojë në trajnerin e tij nga brenda klubit. Por këto dyshime dolën në media dhe ky ishte një gabim i madh nga ana e tij. Kam jetuar një mandat shumë të komplikuar, një kohë pa president. Pastaj dyshimet e Laportës”, theksoi Koeman.

Ronald Koeman dhe Joan Laporta me trofeun e ‘Copa Del Rey’

“Ishte paksa një lehtësim largimi nga Barcelona”, tha ai.

Së fundi, Koeman shtoi: “Më hoqën Messin. Ishte një goditje shumë e rëndë”, para se të përfundonte intervistën.

Përndryshe, Ronald Koeman është një nga legjendat me më së shumti ndikim në klubin spanjoll.

Ai shënoi golin e tij të famshëm nga gjuajtja e lirë në finalen e Ligës së Kampionëve, kundër Sampdorias, duke siguruar kështu trofeun e parë të skuadrës në koimpeticionin më elitar për klube. /Shqip.com