Lajme

KMDLNJ-ja kërkon plotësimin e kërkesave të policëve për shtesat e rrezikshmërisë

Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) të Policisë së Kosovës, si dhe paralajmërimit për protestë edhe të Njësisë Speciale Operative.

Ky Këshill ka kërkuar që kërkesat e policëve elitarë për shtesat e rrezikshmërisë të plotësohen.

“KMDLNJ edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit. Në të gjitha rastet kur Kosovës po i cenohet integriteti territorial, që të gjithë po shprehemi krenarë me Policinë tonë, prandaj dhe ka ardhur koha që këtë ‘krenarinë’ ta përkthejmë në përkrahje reale për Policinë e Kosovës dhe të mos mbetet retorikë politike për manipulim”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, me protestën e NJSI-së, “policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

/Shqip.com