KMDLNJ iu reagon Deliut dhe Haxhiut: Për qërim hesapesh politike përmendën “Rastin Kumanova”
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas debateve të sotme në Kuvendin e Kosovës, në mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Në reagimin e KMDLNJ, thuhet se Kuvendi i Kosovës nuk është i shquar si vend ku dëgjoni mendime, vlerësime dhe qëndrime të mençura e që do të arsyetonin votën e votuesit për disa deputetë.
“Linçimi, fyerja, nënçmimi, stigmatizimi dhe përçmimi janë veprimet më të shpeshta në këtë forum ku do të duhej të ishin kokat përfaqësuese të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.
Më tej në reagim thuhet se “në debatin e sotëm përshkallëzoi fjalori i dy zonjave; e ministres së Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu me taban patriotik të dëshmuar edhe në familjen ku ka jetuar si edhe në familjen ku e ka filluar një jetë të re dhe znj.Blerta Deliu”.
“Për KMDLNj-në është i papranueshëm fakti se në këtë qërim hesapesh verbale politike po ndikohen personat e tretë të dënuar me burgim të përjetshëm e që e vuajnë dënimin në burgjet e Maqedonisë së Veriut duke e ndërlidhur si ‘kunati i Albulena Haxhiut që qenka dënuar për terrorizëm…’. Të gjithë e kanë të qartë se ‘Rasti Kumanova’ asnjëherë nuk ishte sqaruar deri në fund dhe as sot e kësaj dite nuk është sqaruar. Me propozimin e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, KMDLNj -ë kishte bërë gati ekipin monitorues për të vizituar të arrestuarit e “Rastit Kumanove” e që ishin nënshtruar një torture mizore dhe se kishte dyshime se dy anëtarë të këtij Grupi ishin ekzekutuar pasi i ishin dorëzuar autoriteteve maqedonase”, thuhet në reagimin nga ky Këshill.

Në seancën e Kuvendit që u mbajt më 19 nëntor, deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu janë përplasur për punsëimet familjare.
Haxhiu ka pyetur Deliun lidhur me punësimin e motrës së saj në Prokurorim të Kuvendit dhe vëllait në Radio Televizionin e Kosovës.
“Nëse flas me gjuhën e Abelard Tahirit atëherë zonja Deliu duhet të të pyes a keni ndikuar në punësimin e motrës tuaj në prokurim të Kuvendit ose vëllain në RTK, ose me ua përmend që dhëndrri juaj është arrestuar në OSHP”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se ka argumente të mjaftueshme edhe për diskutime të tilla, derisa i ka ftuar deputetët e PDK-së për debate konstruktive.
Në anën tjetër, deputetja Deliu ka thënë se kunati i ministres Haxhiu është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.
“Një ministre që vjen këtu e flet për akuza e kunati i saj është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoni, nuk mund të na japë leksione. Si takoheni ju me një homolog nga Gjermania kur në CV ju shkruan se kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, është shprehur ajo.
Pas akuzave të Deliut, fjalën e ka marrë sërish Haxhiu, e cila ka thënë se rasti për të cilin ka folur deputetja Deliu është rasti “Kumanova”.
“Nëse Blerta Deliu e din si ka ndodh ky rast le t’i tregojë institucioneve të drejtësisë sepse është enigmë si ka ndodh ky rast, presim që të kemi informacione”, ka thënë Haxhiu./Shqip.com