Lajme

KMDLNj fajëson Konjufcën e Bislimin për seancën e dhunshme në Kuvend

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar pas situatës së tensionuar në seancën e Kuvendit, më 13 korrik, ku pozita dhe opozita kaluan edhe në përleshje fizike.
KMDLNj, thotë se udhëheqja e saj ishte në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit, çka edhe çoi në dhunë.

Tutje, këshilli thotë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka pasur të drejtë ta grisë foton e vendosur nga opozita, ku paraqitej kryeministri Albin Kurti me hundë të gjatë dhe se kryetari i Kuvendit, duhet të kërkonte largimin e tij nga seanca.

“Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë të drejtë ta grisë një foto që e vendosi opozita, pavarësisht përmbajtjes. Këtë të drejtë e kanë pasur deputetët e pozitës sikur edhe çdo deputet në Kuvendin e Kosovës”, deklaron KMDLNj.

Shkelje tjetër, sipas këtij këshilli, “ishte kur po ky zv.kryministër e gjuan me shishe uji deputetin Lushtaku”.

“Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit, po të kishte pasur profesionalizëm dhe guxim, do ta largonte nga seanca Besnik Bislimin sepse, si mysafir, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit ndërmori veprime që nuk i takojnë sikur që sulmoi deputetin Lushtaku”, tha KMDLNj.

Këshilli thotë se “nëse kryetari i Kuvendit do ta largonte nga seanca zv.kryeministrin Bislimi, situata do të qetësohej dhe seanca do të zhvillohej në rrethana krejtësisht tjera”.

Tutje, KMDLNj-ja, si shkeljen më të rëndë që e bëri kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e konsideron thirrjen drejtuar policisë së Kosovës të intervenojnë sa ishte duke u zhvilluar seanca.

Në reagim thuhet se “kryetari i Kuvendit fillimisht është dashur ta ndërpresë seancën e pastaj ta thërrasë Policinë e Kosovës që të ndërhyjë në qetësimin e seancës”.

KMDLNj thotë se në historinë parlamentare të Kosovës asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rast që kryetarët e Kuvendit apo drejtuesit e seancave ta thërrasin Policinë apo sigurimin e Kuvendit “ndonëse incidentet ishin shumë më të rënda me ç’rast rrezikohej edhe shëndeti i deputetëve siç ishte hedhja e gazit lotsjellës dhe mjeteve të forta pjesë e së cilës, qoftë si pjesëmarrës aktiv apo edhe si dëshmitar ishte edhe kryetari i tashëm i Kuvendit të Kosovës”.

KMDLNj vlerëson se nuk ka asnjë bazë ligjore që të ndiqen penalisht asnjëri që shkaktoi incidente në këtë seancë – as nga ana e qeverisë e as nga ana e deputetëve.

/Shqip.com