Lajme Ballkan

KMDLNJ: E pamoralshme nga Borrell lejimi për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka cilësuar si të “pamoralshme” lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese në Serbi nga ana e Përfaqësuesit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Përmes një komunikate, KMDLNJ reagoi ndaj kërkesës së Borrellit për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshimet kushtetuese, duke shtuar se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë shkeljen e sovranitetit të shtetit, përcjell Shqip.com.

Lexo edhe:
Borrell del pro votimit të serbëve nga Kosova në referendumin e Serbisë

“Nuk ka çështje më të pamoralshme se që është kushtëzimi i Borrell-it për lejim të mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese në Serbi në kohën kur mbajtja e referendumit në Kosovë edhe për një çështje minore siç është tredhja e qenve është pamundësuar edhe me vet Kushtetutën e Kosovës e që ishte imponuar nga borrellët para këtij Borrelli , zëdhënësit të Aleksandar Vuçiqit”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Tutje, Këshilli thotë se kryediplomati evropian duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe vullnetin e më shumë se 100 shteteve që kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Po ashtu, në komunikatën e KMDLNJ-së thuhet se nuk e kanë të qartë rolin e Borrellit si lehtësuses në bisedime për normalizim të marrëdhënieve, duke e vlerësuar kredibilitetin e tij me notën zero.

“Moslejimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë për ndryshime kushtetuese të Serbisë ku Kosova ësht pjesë e Serbisë nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut përmes mohimit të drejtës së votës por pikërisht është demonstrim i zbatimit të universalitetit të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike , moshës , racës , gjinisë , bindjeve politike dhe statusit në shoqëri”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndryshe, të enjten Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka dalur haptazi pro votimit të serbëve të Kosovës në referendumin e Serbisë.

Përmes një postimi në Twitter, Borrell tregoi se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, njerëzit duhet të kenë të drejtën për të votuar, duke përmendur se në të kaluarën një proces i tillë është bërë nga OSBE-ja në Kosovë.

Ndërkaq, mbrëmjen e së mërkurës, Kurti tha se në bisedën e zhvilluar me Borrellin, e ka kundërshtuar këtë, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë vend demokratik.

“Në telefon me Borrellin, ripërsërita qëndrimin tonë se serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë në referendum me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”, kishte shkruar Kurti./SHQIP.com