Lajme

Klinika e Kardiologjisë për herë të parë realizon një ndërhyrje të rrallë në zemër

Në Klinikën e Kardiologjisë është realizuar për herë të parë me sukses një ndërhyrje e rrallë në zemër.

Kjo është bërë e ditur nga Shërbimi Spitalor, Klinik Universitar i Kosovës duke thënë se pacienti ka qenë i moshës 37-vjeçare.

“Në Klinikën e Kardiologjisë, Shërbimi i Elektrofiziologjisë dhe Elektrostimulimit, për herë të parë u realizua me sukses ablacioni (djegia) radiofrekuent i takikardisë ventrikulare idiopatike të ventrikulit të majtë me qasje arteriale, te një pacient i moshës 37 vjeçare. Klinika e Kardiologjisë vazhdon të zgjeroj gamën e shërbimeve intervente në fushën e çrregullimeve të ritmit, me metodologji bashkëkohore dhe fal angazhimit e profesionalizmit të personelit të specializuar në këtë fushë”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Sipas ShSKUK-së, këto procedura kryhen nën mbikëqyrjen e ekspertëve të huaj.

“Këto procedura komplekse kryhen nën mbikëqyrje të ekspertëve të huaj dhe konform udhërrëfyesve e rekomandimeve të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC)”.

Tutje, thuhet se gjatë vitit 2022, asnjë pacient me këtë patologji nuk është referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

/Shqip.com