Lajme

Klinaku nga OVL-UÇK e mbështet protestën e të hënës kundër Kurtit

Të hënën e 23 janarit, fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së, do të protestojnë para Qeverisë kundër deklaratave të kryeministrit Kurti, mbi figurën e ish-politikanit serb të vrarë, Oliver Ivanoviq.

Ndërsa konfirmimin për pjesëmarrje në këtë protestë të paralajmëruar, e ka dhënë edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ka bërë thirrje që kjo protestë të mbështetet edhe nga të tjerët.

“E mbështes protestën dhe do të jem pjesëmarrës në të. Kërkoj që të mbështetet edhe nga ju”, ka shkruar shkurtimisht Klinaku në Facebook.

 

Kujtojmë se, në 5 vjetorin e vdekjes së Ivanoviqit, kryeministri Kurti përmes një video të publikuar e kishte ngritur figurën e politikanit serb.

Ky veprim i Kurtit, kishte krijuar shumë reagime sepse Ivanoviq ishte dënuar nga gjykata e EULEX-it për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Kurti përmes një videomesazhi ka thënë se Ivanoviqi ka qenë “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij në Mitrovicë ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.

/Shqip.com