Lajme

“Klina lule Dukagjini, e jo kancer i Dukagjinit”, mbi 300 banorë protestojnë kundër fabrikës së çimentos

Protesta në Klinë

“Klina lule Dukagjini, e jo kancer i Dukagjinit”, është motoja e protestës ku janë duke marrë pjesë mbi 300 banorë të kësaj komune në fshatin Dollc, duke kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos.

Gjatë kësaj protestë, e pranishme u pa edhe, Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ku tha se janë duke e përcjellë këtë proces dhe se po bashkëpunojnë me Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Bujqësisë për të gjetur zgjidhje.

“Çdo investim duhet të jetë investim që siguron të ardhmen e fëmijëve. Nuk duhet të na keqkuptojë askush. As ju si banorë as ne në Parlament nuk jemi kundër zhvillimit. Jemi për mjedis të shëndetshëm”, ka thënë ajo.

Protesta në Klinë

Kësaj proteste gjithashtu i është bashkangjitur edhe Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ku ka thënë se është ndalur te protestuesit për t’u treguar se janë në krah të tyre.  

“Fabrika nuk mund të ndërtohet aty ku e bën vendin e pabanueshëm. E kemi çliruar me gjak, duhet ta ndërtojmë me pastërti”, tha ai.

Protesta në Klinë

Qytetarët pjesëmarrës në këtë protestë janë parë më pankarta në duar, me mbishkrime të ndryshme si “Stop Ndotjes”, “Mos ndërhyni në tokën tonë”, “Fabrika e Çimentos, jo në Klinë”, “Të parët na e lan këtë tokë”, e të tjera./Shqip.com