Ekonomi IPKO: Çdo operator e ka të pamundur të garantojë se përmbajte do të mbetet e pandryshueshme

Klientët kërkojnë kthimin e parave nga IPKO pas largimit të kanaleve

Klientët e kompanisë IPKO, që nga data 1 maj janë përballur me largimin e disa kanaleve nga kjo platformë.

Tashmë nga kjo platformë janë hequr shumë kanale, ndër to edhe të platformës DigitAlb.

Ky ndryshim nuk ju ka pëlqyer klientëve të cilët ankohen se kanë paguar për një vit të plotë për kanalet e larguara.

“Kontratën afër 300 euro që e kam mbajtë me zor deri të përfundoj Premier League, shkojnë ta ndërprejnë katër javë para se me përfundu kampionati, edhe ta mbushin listën me kanale në gjuhën turke e serbe” , ka shkruar në “Faceook” një klient i pakënaqur.

E një tjetër, ka thënë se IPKO ka vepruar në mënyrë “klandestine”.

“A ka të drejtë IPKO ta ndërrojë komplet listën e programeve të kabllorit pa i pyetur as konsultuar fare klientët? Për më keq, shumica e këtyre klientëve IPKO’s ia kanë parapaguar shërbimin e kabllorit për një vit, por për një përmbajtje krejt tjetër krahasuar me këtë që nga sot IPKO na e instaloi në mënyrë pothuajse klandestine”.

Një pjesë e tyre kanë kërkuar që paratë e paguara t’u kthen mbrapsht.

IPKO: Çdo operator e ka të pamundur të garantojë se përmbajte do të mbetet e pandryshueshme

Afrika Zyferi nga kompania IPKO, në një përgjigje për SHQIP.com ka thënë se nuk mund të garantojnë që platformat televizive të mos pësojnë ndryshime gjatë periudhës kontraktuale me klientin.

“Platformat televizive pësojnë ndryshime vazhdimisht, për shkak të karakterit dinamik të tyre. Çdo operator e ka të pamundur të garantojë se përmbajte e platformës do të mbetet e pandryshueshme përgjatë tërë kohëzgjatjes kontraktuale me përdoruesin”, thuhet në përgjigje.

Derisa kanë shtuar se klientët kanë qenë të njoftuar paraprakisht për ndryshimet që do të ndodhnin.

IPKO dhe DigitAlb kishin nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi më 2019-të e cila ishte paraparë që të zgjaste deri në vitin 2024.

Theksojmë se që nga mesi i 2021-s, IPKO kishte ndërprerë bashkëpunimin edhe me disa kanale të tjera televizive në vend.

Dhjetëra ankesa ishin dërguar kundër kompanisë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit për shkak të ndërprerjes së transmetimit të këtyre kanaleve.

Por, deri tani nuk ka ndonjë përgjigje nga ky isntitucione apo nga Komisioni i Pavarur i Mediave. /Shqip.com