Lajme

Klasa me një nxënës  

Foto REL

Është vetëm një nxënës që ndjek mësimet në klasën e parë të Shkollës Fillore “Rilindja” në fshatin Keqekollë të Komunës së Prishtinës.

Klasa e dytë nuk ka asnjë, ndërsa të tjerat kanë nga dy deri në katër nxënës.

“Për çdo vit ka rënie të numrit [të nxënësve]. Shkolla është më e heshtur”, thotë drejtoresha Qamile Gashi.

Kur në vitin 2015 mori këtë pozitë, ajo tregon se shkolla i kishte 60 nxënës – sot i ka 19.

“Disponimi i fëmijëve nuk është edhe aq në nivel, sepse nuk ka konkurrencë në klasë, nuk kanë shokë mjaftueshëm. Me padurim presin të vijë pushimi apo ndonjë aktivitet, në mënyrë që të takohen së bashku”, thotë Gashi.

Gjashtë kilometra larg Keqekollës me rreth 120 banorë gjendet fshati malor i Prapashticës, i populluar me mbi 150 banorë.

Në Shkollën Fillore atje “Dëshmorët 1921”, procesin mësimor e ndjekin 12 nxënës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i nxënësve në arsimin fillor ka rënë nga mbi 247 mijë, sa ka qenë në vitin shkollor 2017/2018, në mbi 220 mijë në vitin shkollor 2022/2023, raporton REL.

/Shqip.com