Lajme

Kishte gjuajtur me armë pas fitores së PDK-së në Skënderaj, arrestohet i dyshuari

Festa e PDK-së në Skënderaj

Një person është arrestuar të hënën pasi që dyshohet se të dielën, më 17 tetor, pas përfundimit të procesit zgjedhor, kishte shtënë me armë në sheshin e Skënderajt, përcjell Shqip.com.

Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka njoftuar se nga i dyshuari është sekuestruar një revole dhe një karikator me pesë fishekë.

Pamje nga festa e PDK-së në Skënderaj.

Për këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të të cilit, i dyshuari është liruar për në procedurë të rregullt.

“Pas një pune hetimore me datë 18.10.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që  dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është sekuestruar një revole me një karikator dhe pesë fishek. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Lexo edhe:
Bekim Haxhiu pas fitores së Nurës në Skënderaj: Fitoi lakmia

Ndryshe, të dielën janë mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë, ku në Skënderaj, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, fitues është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura me 57.99 për qind të votave.

Pas këtyre rezultateve, aktivistët e këtij subjekti politik kishin dalur që ta festojnë fitoren duke shtënë disa herë me armë zjarri, ku një person është lënduar.

Nura kishte për kundërkandidat Bekim Jasharin i cili ishte kandidati i pavarur dhe Sokol Halili, po ashtu i pavarur./SHQIP.com