Kulturë Kino

Kino Armata shfaq “Përroin e Asgjësisë” – përgjegjësia shpirtërore e njeriut ndaj natyrës

Kino Armata prej janarit ka filluar shfaqjen e filmave të studentëve për prodhimin e filmave të shkurtër- dokumentarë.

Filmi që do të shfaqet para filmave të programit të rregullt të Kino Armatës duke filluar nga dita e enjte është “Përroi i Asgjësë” nga Eranda Bokshi.

“Përroi i Asgjësisë”, shfaq përgjegjësinë e njeriut karshi natyrës.

“Si rrjedhojë, titulli erdhi shumë natyrshëm si “Përroi i Asgjësë”, sepse në film të gjitha burimet janë të ndotura, apo të shterura nga dora e njeriut. Ky ndoshta është mesazhi i vetëm i filmit, dhe më kryesori”, tha Bokshi për Shqip.com.

Filmi është realizuar në shkollën e filmit të Kino Armata “Neo Film School”.

Përmes filmit “Përroi i Asgjësisë”, Bokshi tha se është munduar të shfaq largimin e njeriut nga natyra, kontrastin e panatyrshëm që njeriu ka krijuar mes vetes dhe ambientit të tij si dhe përgjegjësinë shpirtërore që njeriu ka ndaj vetës e natyrës.

“Filmi erdhi si nevojë e brendshme për të diskutuar apo për t’i vënë në pah disa çështje që shpesh nuk fliten në shoqëri, sepse konsiderohen të pakëndshme. Por unë mendoj se janë të domosdoshme për kulturën tonë, kështu që jam munduar të jem sa më e drejtpërdrejtë në tregimin tim”, shtoi tutje Bokshi.

Ndërkaq, sipas saj filmi shfaq edhe izolimin e njerëzve, shtypjen e emocioneve dhe degradimin shpirtëror të njeriut në kohë moderne, e po ashtu është pritur mjaft mirë nga Kino Armanata./Shqip.com