Art Jetese

Kimikatet në produktet e bukurisë mund të rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2 

TimesofIndia

Kimikatet toksike në aromat, produktet e thonjve dhe në shampo mund të rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2 tek gratë, sugjeron një studim.

Ftalatet janë kimikate që forcojnë plastikën dhe përdoren si lubrifikant në shumë produkte kozmetike. Kimikatet mund të depërtojnë nëpër lëkurë dhe të shkaktojnë dëme në mëlçi, veshka, mushkëri dhe organe të tjera.

Studiuesit të cilët gjurmuan 1,300 gra të moshës së mesme gjatë gjashtë viteve zbuluan se ato me ekspozim të lartë ndaj kimikateve kishin 63 për qind më shumë gjasa për të zhvilluar diabetin e tipit 2, raporton Dailymail.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave paralajmëron se këto kimikate gjenden gjithashtu në llak për flokët dhe produkte të tjera bukurie. 

Ftalat shpesh u shtohen produkteve gjatë procesit të prodhimit për t’u dhënë atyre një cilësi të veçantë, siç është lubrifikimi ose qëndrueshmëria më e mirë.

Shkencëtarët vlerësuan praninë e 11 llojeve të ftalateve, duke përfshirë lloje me peshë të ulët molekulare që përdoren zakonisht në produktet e kujdesit personal si aromat, manikyrat e thonjve dhe disa produkte higjienike femërore.

Shkencëtarët sugjerojnë se kimikatet toksike mund të shkaktojnë diabet, sepse ato mund të prishin hormonet e insulinës dhe glukagonit, të cilat rregullojnë sheqerin në gjak dhe shkaktojnë rezistencë ndaj insulinës në qeliza.

Insulina vepron duke i bërë qelizat të marrin sheqer nga gjaku duke ulur nivelet e sheqerit në gjak, ndërsa glukagoni ka efektin e kundërt – duke bërë që mëlçia të fillojë të lëshojë sheqer kur nivelet e sheqerit në gjak ulen shumë.

Nëse trupi bëhet rezistent ndaj ndonjërit prej këtyre hormoneve, ai nuk mund të rregullojë nivelet e sheqerit në gjak – duke shkaktuar diabetin e tipit 2.

Kjo bën që pacientët të kenë nevojë të monitorojnë vazhdimisht nivelet e sheqerit në gjak dhe të injektojnë veten me insulinë për ta mbajtur atë nën kontroll.

Në rastet më serioze, gjendja mund të çojë në dëmtim të nervave dhe probleme të veshkave.

Diabeti i tipit 2 është i lidhur me faktorët e stilit të jetesës, të tilla si obeziteti, dieta e varfër dhe mos ushtrimet e rregullta.

Diabeti i tipit 1, nga ana tjetër, është gjenetik dhe zakonisht shfaqet herët në jetë. 

/Shqip.com