Rozë Ndërkombëtar

Kim dhe Kanye arrijnë marrëveshjen për divorcin

Kim Kardashian dhe Kanye West kanë arritur një marrëveshje për divorcin, duke shmangur gjyqin që ishte caktuar për në dhjetor.

Ish-çifti dhe avokatët e tyre dorëzuan dokumente ku kërkojnë miratimin e kushteve me të cilat kanë rënë dakord, duke përfshirë 200,000 dollarë në muaj pagesa për fëmijët nga Kanye.

Gjykata i shpalli të dy ligjërisht beqarë me kërkesë të Kardashian në mars, duke i dhënë fund martesës së tyre tetëvjeçare, por çështjet e pronës dhe kujdestarisë mbetën pa u zgjidhur.

Pas marrëveshjes së fundit, të dy do të kenë kujdestari të përbashkët. Kardashian dhe West do të ndajnë në mënyrë të barabartë shpenzimet për sigurinë private të fëmijëve dhe shkollat private, duke përfshirë kolegjin.

Të dy kishin nënshkruar një marrëveshje paramartesore dhe pronat janë të ndara.

Kanye dhe Kim u lidhën në vitin 2012 dhe u bënë prindër të vajzës së parë, North, në vitin 2013. Kanye i propozoi për martesë po atë vit dhe u martuan në Firence në maj të 2014-s. Ata kanë katër fëmijë bashkë, North, Saint, Chicago dhe Psalm.

Kjo ishte martesa e tretë për Kardashian dhe martesa e parë për reperin. Lidhja e tyre ishte një nga më të përfolurat e dekadave të fundit.

Në qershor 2021, gjatë një episodi të “Keeping Up with the Kardashians”, Kim Kardashian foli hapur për divorcin me Kanye West dhe gjithë sfidat me të cilat u përball për një kohë të gjatë. Ndër të tjera, ajo tha se shkaku kryesor i ndarjes ishte distanca mes tyre dhe largimet e shpeshta të Kanye-s.

/Shqip.com