Lajme

Kica-Xhelili: Pagat në sistemin e drejtësisë s’duhet të lëvizin nga vendimet e ekzekutivit

Doarsa Kica-Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar drejtë që ka shfuqizuar vendimin që ngriste pagat e gjyqtarëve

Në një emision në Klan Kosova, Kica-Xhelili tha se pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të lëvizin nga vendimet e ekzekutivit.

“Paga nuk është vetëm aspekt material, është edhe dinjitet, është edhe matje e rrezikshmërisë së profesionit karshi asaj që shteti vlerëson se ti vlen parimisht. Tash çka ndodh me këtë koeficient është që gjyqtarëve dhe prokurorëve iu ulen pagat… Ne pamë momentin kur u anulua edhe vendimi i cili kishte ngritur pagat. Unë gjithmonë kam qenë e mendimit që vendimet e ekzekutivit nuk duhet t’i lëvizin pagat e sistemit të drejtësisë, qoftë për rritje apo zvogëlim”, tha Kica-Xhelili.

Tutje, ajo e ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe për kohën kur e ka anuluar një vendim të tillë.

“Përderisa e ke lënë një vit e gjysmë në fuqi dhe planifikon të nivelizosh me ligjin për paga, nuk ke pse i prek pagat në sistem të drejtësisë për dy arsye:  Ke precedent të shumtë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila në vazhdimësi thekson se ekzekutivi duhet të ketë dorë minimale në pagat e sistemit të drejtësisë.  Edhe në Kosovë e ke ligjin për gjykatat, ku në përgjithësi adreson aspektin e mëditjeve dhe pagave të gjyqtarëve e që krijon edhe një far standardi që brenda mandatit nuk është mirë t’u lëvizen pagat gjyqtarëve”.

Kujtojmë se në njërën nga mbledhjet, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që pagat e gjyqtarëve dhe prokuroreve të ndryshohen.

Sipas kryeministrit, Albin Kurti pagat e zyrtarëve të sistemit gjyqësor do të bëhen në lartësinë e rregullimit juridik të vitit 2017, para vendimit për ndryshimin e pagave të kabinetit qeveritar.

/Shqip.com