Lajme

Kica-Xhelili: Me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, rasti mund të mos zgjidhet

Doarsa Kica-Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, rasti i tij mund të mos zgjidhet.

Përmes një postimi në Facebook, Kica-Xhelili thotë se të gjitha këto po ndodhin në këtë qeverisje të cilës nuk po i pengon se mostrat janë zhdukur

“Me këtë zhdukje të mostrave, ky rast mund të mos zgjidhet më kurrë! Dikush nuk deshti që ky rast të zgjidhet! Kush, nuk e di, por di që e gjithë kjo po ndodh TANI! Në këtë qeverisje! Por, sot qeverisë nuk po i pengon kthimi i zyrtarëve të IML-së. Nuk po i pengojnë ditët që po kalojnë pa u gjetur mostrat. Sot diçka ka ndryshuar. Duken më të qetë. Sikur më në fund, ajo që ndryshoi, po i jep qetësi, edhe në qoftë se kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrë drejtësi”, shkroi Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili pyet se mostrat e Astrit Deharit a kanë humbur apo janë zhdukur qëllimisht.

“A kanë humbur, apo janë zhdukur qëllimshëm mostrat? Apo, janë diku ku ka rrezik të tjetërsohen? Bëhen të papërdorshme? Apo, dikush po mundohet të na krijoj bindjen që po manipulohen? Dikush që nuk mundi ta pranoj të vërtetën sepse i dëmton politikisht? I implikon penalisht? Apo thjesht dikush që e kuptoi, më në fund, që e kishte pasur gjithë kohën gabim?”.

Ndërsa, për ekzekutivin dhe deputetët e shumicës, Kica-Xhelili thotë se tek ata po mbizotëron heshtja.

“E, çka mbizotëron te pushteti e deputetët e shumicës? HESHTJA! Kjo heshtje, që dikur rrotullonte kamionë, dëmtonte institucione, e lëndonte policët tonë PIKËRISHT për skandalet si kjo. Pikërisht për KËTË rast!”.

Tutje, deputetja e LDK-së thotë se zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që u suspenduan si të dyshuar, janë kthyer në punë.

/Shqip.com