Lajme

Kica-Xhelili i reagon Kurtit për drejtorin e RTK-së: Po abuzon qëllimshëm

Doarsa Kica-Xhelili

Kryeministri Albin Kurti, të enjten është pyetur nëse ka opinion që mbështetësi i tij, Rilind Gervalla, u zgjodh drejtor në RTK, dhe ai u përgjigj se nuk ka asnjë me mbiemër të njëjtë të punësuar në ndonjë ministri në Kosovë.

Kjo deklaratë e Kurtit, sipas deputetes së LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, është ofenduese për qytetarët.

“Seriozisht? A mund ta imagjinoni? A mund ta analizoni si përgjigje? Domethënë, sipas tij, rehatimi i mbështetësve, bashkëpartiakëve, donatorëve të VV, madje edhe përfshirja e tyre në afera potenciale milionëshe në sektorin energjetik dhe jo vetëm, AMNISTOHET, sepse nuk e paskan mbiemrin Kurti”, ka shkruar ajo.

Kica – Xhelili, e akuzoi kryeministrin se po abuzon qëllimshëm me qytetarët e Kosovës.

“Mos, kryeministër! Je mjaftueshëm inteligjent për të kuptuar që po ofendon përtej asaj që e duron kjo shoqëri, që nënkupton se po e bën qëllimshëm. Po abuzon qëllimshëm. Kjo është brutalisht e pafalshme”, u shpreh deputetja, Kica-Xhelili.

/Shqip.com