Teknologji Auto

Kia tërheq mijëra automjete nga tregu

Prodhuesi korean i automjeteve – Kia, ka marrë vendim për tërheqjen e afro 109,000 automjeteve shkaku i dyshimeve se ekrani i instrumenteve dixhitale, mund të mos funksionojë.

Kompania ka thënë se problemi mund të shkaktojë që automjetet e nënshtruara të dështojnë në përputhje me Standardet Federale të Sigurisë së Automjeteve Motorike të SHBA-së (FMVSS).

Nga tërheqja do të preken disa modele të Kia Soul, Telluride, Niro Hybrid, Niro Plug-In Hybrid, Sportage, Sportage Hybrid dhe Sportage Plug-In Hybrid 2023 me grupe instrumentesh që përmbajnë një ekran LCD 4.2 inç.

Sipas Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA), problemi rezulton nga softueri i grupit të instrumenteve dhe “zhurma elektrike, për shkak të paqëndrueshmërisë së tensionit, kur automjeti është duke u nisur”, duke shkaktuar gabime në ngarkim në ekran.

Kjo mund të bëjë që ekrani të mos jap imazhe kur automjeti është në punë, ndërsa shoferi do ta kishte të pamundur të merrte informacionet e automjetit.

Problemi mund t’i pengojë drejtuesit të shohin informacionin e monitorimit të presionit të gomave, mesazhet paralajmëruese dhe tregues të tjerë jetik të automjetit.

Ekranet që nuk funksionojnë mund të çojnë në një aksident, megjithatë, prodhuesi i automjeteve tha se nuk kishte marrë asnjë raport për aksidente ose lëndime në lidhje me këtë çështje.

/Shqip.com