Hamasi merr goditje nga Irani, Ajatollah Khamenei: Nuk do të shkojmë në luftë për ju!
Hamasi është braktisur nga aleati i tij më i madh, Irani teksa luftimet me ushtrinë e Izraelit vijojnë prej më shumë se një muaji.
Tre zyrtarë të lartë iranianë të cituar nga Reuters thanë se “Ayatollah Ali Khamenei, Udhëheqësi Suprem i Iranit, i dërgoi një mesazh të qartë udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh gjatë takimit të tyre në Teheran në fillim të nëntorit”:
“Ju nuk na dhatë asnjë paralajmërim për sulmin tuaj të 7 tetorit mbi Izraelin dhe ne nuk do të shkojmë në luftë në emrin tuaj”.
“Khamenei i tha Haniyeh se Irani, një mbështetës i hershëm i Hamasit, do të vazhdojë t’i japë grupit mbështetjen e tij politike dhe morale, por nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt“, thanë zyrtarët iranianë.
Goditja nga Teherani pritet të ketë jo pak ndikim në radhët e militantëve të cilët shpresonin jo pak te aleati i tyre, Irani, në betejën e vështirë, thuajse të pamundur, përballë Izraelit.
Qyteti i Gazës, enklava palestineze në jug të Izraelit, njëherazi qendra e Hamasit, është shkatërruar nga bombardimet e Izraelit. Mbi 11 mijë civilë dhe militantë të Hamasit janë vrarë, ndërsa ka qindra të plagosur.
Mbi 70% e popullsisë civile është evakuuar nga veriu drejt jugut, pranë kufirit me Egjiptin. Thirrjet për evakuim vijuan edhe sot nga ushtria izraelite të cilët janë të vendosur të shkatërrojnë rrjetin e tuneleve të Hamasit, por edhe të asgjësojnë celulën që sulmoi Izraelin mëngjesin e 7 tetorit.
/Shqip.com