Sport Shqiptar

KH Vushtrria kërkon falje dhe merr përgjegjësinë për dhunën ndaj lojtarëve të Trepçës

Klubi i hendbollit Vushtrria ndihet përgjegjëse për sulmin e rëndë fizik që ndodhi të shtunën e shkuar ndaj lojtarëve të Trepçës nga lojtarët dhe shikuesit e Vushtrrisë. Vushtrria në një komunikatë të gjatë të publikuar të mërkurën ka kërkuar falje për këtë, por pret edhe nga Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) t’i rishikojë disa vendime, të cilat i ka vlerësuar drastike ndaj klubit.

Për dhunën në ndeshjen e hendbollit në Vushtrri hetimet i ka nisur edhe prokuroria.

“Në emër të kryesisë së klubit dhe ekipit i kërkojmë falje për situatën e ndodhur në ndeshjen e fundit kundër KH Trepçës. Situata e krijuar atë ditë ka qenë një imazh i padëshirueshëm si për klubin si për të gjithë qytetin e Vushtrrisë, veprime që nuk duhet të ndodhin as nga lojtarët e as nga tifozët e çdo klubi jo vetëm tonit, por që ndodhin në sport sidomos kur provokohen nga lojtarët në fushë, siç ishte rasti në këtë ndeshje. Ne shprehim keqardhje për çdo tifoz dhe lojtar që me një situatë që mund të krijohet vetëm nga ata që nuk janë sportdashës, sot ne bartim pasojat e individëve të papërgjegjshëm”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KH Vushtrrisë.

Në fakt, gjatë ndeshjes kampionale të Superligës së Kosovës, në Vushtrri u sulmuan rëndë lojtarët e skuadrës së Trepçës nga hendbollistët dhe tifozët e Vushtrrisë, ndonëse policia ishte e pranishme në palestër. Komesari i Garave të FHK-së, Isak Osmani, një ditë pas incidentit të rëndë përjashtoi përjetë nga hendbolli Halim Miftarin, Asllan Gërgurin e Haki Vllahijën. Me dy vjet moslojë u dënua Fitim Klinaku i Vushtrrisë, ish-lojtar i Trepçës po ashtu. Muhamet Hyseni u suspendua për gjashtë muaj. Derisa dënimet ndaj lojtarëve ishin të ashpra, më lehtë ka shpëtuar klubi Vushtrria. Ndeshjen e ndërprerë, Trepça e fitoi në tavolinë 10:0, derisa Vushtrrisë i janë marrë tri pikë. Vushtrria është gjobitur me 800 euro dhe pesë ndeshjet e ardhshme do t’i luajë pa praninë e shikuesve. Vendimet e Komisarit të Garave kanë ndryshuar edhe renditjen tabelore. Vushtrria prej vendit të tretë ka rënë në vendin e katërt me 26 pikë të mbledhura. Prishtina tani është e treta me 27 pikë. Besa Famgas në plejof starton prej vendit të parë me 50 pikë, ndërsa Trepça prej vendit të dytë me 34 pikë të grumbulluara.

“Kjo situatë e ndodhur nuk e ndalon klubin dhe çdo tifozë të Vushtrrisë, si nga ana morale si nga ajo e performancës, por do të kthehemi më të fortë duke treguar forcat tona deri në fund të sezonit, dhe çdo ndeshje në të ardhmen. I apelojmë FHK t’i rishikojë disa vendime drastike ndaj klubit tonë (jo dënimet e disa lojtarëve të cilat edhe i kanë merituar), por ndaj klubit i cili po bën çmos të jetë skuadër cilësore dhe ka ngritur nivelin e ligës, por edhe të shikueshmërisë”, thuhet në fund të komunikatës së klubit Vushtrria.

Pas vendimeve të fundit janë shmangur përballjet e Trepçës dhe Vushtrrisë në garat e plejofit. Tani, në gjysmëfinale Besa Famgas luan me Vushtrrinë, ndërsa Trepça përballet me Prishtinën. Ndeshjet e para gjysmëfinale luhen më 10 e 11 maj. Ishte ky rasti më i rëndë në hendbollin e Kosovës për shumë kohë.

/Shqip.com