Lajme

KGJK viziton Gjykatën Themelore në Mitrovicë pas dorëheqjes së serbëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vizituar Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Në njoftimin e KGJK-së thuhet se në këtë vizitë u diskutua për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës pa ndërprerje në situatën aktuale.

“Mitrovicë, 09.11.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj së bashku me Drejtorin e Sekretariatit të KGJK-së, kanë vizituar sot Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me ç’rast janë takuar me nën Kryetarin e kësaj gjykate, z. Bekim Veliqi, gjyqtarët, administratoren dhe stafin administrativ, ku diskutuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës pa ndërprerje në situatën aktuale”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, siguroi se ata janë duke marrë të gjitha masat e nevojshme në organizimin e procesit të punës në pajtim me akte ligjore.

“Kryesuesi Zogaj dhe Drejtori Maliqi u siguruan nga nënkryetari Veliqi dhe administratorja, se gjykata është duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës në pajtim me aktet ligjore në fuqi. Zogaj siguroi se Këshilli është i vendosur për ofrimin e gjithë mbështetjes së nevojshme me qëllim që Gjykata Themelore në Mitrovicë të funksionojë edhe në rrethanat aktuale për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”.

Kujtojmë se ditët e fundit kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre zyrtarët serb që punonin në këtë gjykatë.

Ndërsa, sot kanë dhënë dorëheqje krerët e komisioneve komunale të proceseve zgjedhore në veri të vendit.

Kosova ka hyrë në ditën e pestë të tensioneve në katër komunat veriore të vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan).

Serbët gjetën arsye të ngritin tensionet pas suspendimit të Drejtorit të Policisë për rajonin e Veriut.

Kjo solli largimin e mbi 500 zyrtarëve policor, gjykatësve, kryetarëve dhe këshilltarëve komunal.

Serbët gjithashtu, mbajtën një protestë, duke akuzuar institucionet e Kosovës për presion.

Në të njëjtën linjë janë edhe qeveritarë nga Serbia.

Kryeministri i vendit Albin Kurti, këto hapa i cilësoi si pjesë e planit të Serbisë për të mos pranuar dokumentin franko-gjerman.

Ai dha shenja mbështetjeje për këtë plan, derisa pranoi se Kosova ka dërguar përgjigjet e saj në Bruksel.

Publikimi i këtyre detajeve erdhi pak kohë pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia po diskutojnë për përmbajtjen e planit që nga pranvera e këtij viti.

Deri më tani, zyrtarët qeveritarë të Kosovës dokumentin në fjalë e kishin quajtur të rremë.

Gjatë së hënës vijimësisë së dorëheqjeve iu bashkëngjit edhe Lista Serbe, deputetët e së cilës dorëzuan mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Krerë të institucioneve qendrore mbajtën takime, derisa ende nuk është përcaktuar se si do të veprohet tutje.

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare, ka bërë thirrje vazhdimisht që palët të mos nxisin rritje të tensioneve, ndërsa Kosovës i është kërkuar që ta shtyjë vendimin për targat sipas propozimit të BE-së dhe SHBA-ve për 10 mua, si dhe të nis procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Deri më tani, kreu i qeverisë kosovare, nuk ka dhënë shenja se do ta bëjë ndonjërën prej tyre.

/Shqip.com