Lajme

KGJK me kërkesë ndaj Avokatit të Popullit që Ligjin për paga ta dërgojë në Kushtetuese

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se përcaktimi i koeficientit për paga nga Qeveria e Kosovës paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

Ky reagim erdhi pas mbledhjes së mbajtur nga KGJK-ja gjatë ditës së sotme.

“Këshilli Gjyqësor konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficienteve, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.

KGJK thotë se kjo është ndërhyrje në sistemin ligjor në kundërshtim me dispozitat e kushtetuese.

“Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian“.

KGJK tha se ata dhe administrata gjyqësore shprehin shqetësim që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor.

Për këtë arsye, KGJK i bëri thirrje Avokatit të Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore, për të kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

/Shqip.com