Lajme

KGJK-ja kërkon nga Avokati i Popullit referimin e Ligjit për Pagat në Kushtetuese

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka bërë të ditur se iu ka drejtuar me kërkesë Avokatit të Popullit që në zbatim të dispozitave kushtuese dhe ligjore të referojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Siç thuhet në komunikatën, Këshilli konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik është në kundërshtim me Kushtetutën, me Ligjin Nr. 06/L-054 për Gjykatat, rekomandimet e Këshillit të Evropës mbi pavarësinë e gjyqësorit, Opinionin e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 203/19, prandaj, Këshilli kërkoj nga Avokati i Popullit që në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore të ndërmerr veprime të nevojshme për adresimin e kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese.

Ligji i pagave është miratuar në fund të vitit të shkuar. Vlera e koeficientit prej 105 eurosh u caktua në javën e dytë të shkurtit me miratimin e ndryshimeve në buxhet.

Në këtë ligj paga më e lartë do të jetë rreth 1900 euro, ajo e presidentit. Gjyqtarët dhe zyrtarët në drejtësi paguheshin më shumë më herët.

Me vendim para Ligjit të pagave, Qeveria Kurti shfuqizoi vendimin e para disa vitesh të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave të gjyqësorit duke i kthyer ato në vlerën paraprake.

Gjyqësori është ankuar në gjykata ndaj vendimit. Vendimi për ulje pagash është pezulluar. Janë mbi 15 sindikata e institucione që janë ankuar tek Avokati i Popullit për Ligjin e pagave.

/Shqip.com