Lajme

KFOR: Siguria në veri është e tensionuar, jemi të gatshëm të ndërhyjmë

Ushtari i KFOR-it në Veriun e Kosovës
Ushtari i KFOR-it në Veriun e Kosovës

Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR ka reaguar ndaj situatës në veri të Kosovës.

KFOR e cilëson si situatë të tensionuar dhe ka shprehur gatitshmërinë për ndërhyrje në rast të rrezikimit të stabilitetit të sigurisë në veri.

“Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej, shtojnë se mbështesin dialogun Kosovë-Serbi dhe apelojnë të dy shtetet që t’i vazhdojnë negociatat.

“NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat.

Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë. Kjo është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respekt të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është kyç për stabilitetin rajonal.

KFOR-i do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt në Kosovë gjatë gjithë kohës, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhet në njoftim.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com