Sport Shqiptar

KF Llapi përfundon përgatitjet në Turqi, sonte nisen për në Kosovë

Skuadra e Llapit sot në mëngjes e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Antalya të Turqisë, me ç’rast ka përfunduar kampin përgatitor prej dhjetë ditësh.

Futbollistët e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina gjatë këtyre ditëve kanë punuar me përpikëri sipas detyrave të shtabit teknik dhe kanë treguar angazhim e disiplinë maksimale dhe profesionalizëm si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje.

“Brenda kampit ‘bardhekaltër’ ka mbretëruar një atmosferë fantastike nga dita e parë e deri në ditën e fundit dhe kjo tregon se futbollistët që ishin nga sezoni i kaluar dhe ardhjet e reja janë lidhur edhe më shumë me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e skuadrës llapjanë, shkruan Shqip.com.

KF Llapi seancën stërvitore e zhvilloi në kompleksin e fushave “Asteria” dhe në fund të stërvitjes, shtabi teknik ka organizuar një ndeshje ndërmjet tri-ekipeve dhe në fund fitues ka dal ekipi i udhëhequr nga Gerhard Progni.

Ekspedita e Llapit pas përfundimit të përgatitjeve, sonte në mbrëmje do niset drejt Kosovës.

/Shqip.com