Lajme

Këto janë detajet e fundit për aksidentin tragjik – Zv.Kryeministri Grubi për Shqip.com

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi

“Kemi obliguar institucionet që brenda dy ditësh të raportojnë mbi gjendjen faktike dhe të gjitha detajet”.

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një bisedë për Shqip.com.

Duke folur për ngjarjen tragjike që ndodhi në Bullgari ku mbetën të vdekur 45 persona, Grubi tha se prokuroria maqedonase në bashkëpunim me autoritetet bullgare janë duke punuar për t’i gjetur shkaqet që kanë çuar në tragjedi.

“Hetimi ndërinstitucional do të tregon shkaqet e aksidentit që fatkeqesisht la të vdekur 45 viktima”, tha ai.

Grubi foli edhe për gjendjen e të lënduarve, teksa shtoi se identifikimi i kufomave do të bëhet përmes AND-së së familjarëve, pasiqë trupat janë krejtësisht të djegur.

“Kufomat janë tërësisht të djegura. Identifikimi është i vështirë, andaj do ta bëjmë AND-në e familjarëve për ta pasur më të lehtë identifikimin e viktimave. Gjendja e të lënduarve fatmirësisht është stabile”, përfundoi zëvendëskryeministri Grubi për Shqip.com.

Ministria e Transportit ka nisur procedurën për heqjen e licencës së transportuesit “Besa Trans”.

Autobusi i djegur në Bullgari

Ministri i Ministrisë së Transportit, Blagoj Boçvarski, tha se nga informatat që i kanë deri tani, transportuesi kryente transport ndërkombëtar pa licencë për automjet specifik.

“Automjeti i djegur nuk ishte raportuar nga transportuesi në përputhje me nenin 11 paragrafi 5 të Ligjit për transport rrugor dhe për këtë arsye automjeti nuk është në bazën elektronike të të dhënave të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve”, tha Boçvarski.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca, përmes një komunikate për media.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ka marrë vendim të mërkurën, me 24 nëntor 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese bashkëkombës tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet bullgare raportojnë se të paktën 45 persona humbën jetën në mesin e tyre edhe 12 fëmijë pasi autobusi u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore.

Pasagjerët ishin duke u kthyer nga Turqia për në vendlindje; Maqedoni të Veriut.

Deri tani, ende nuk dihen shkaqet e aksidentit./Shqip.com