Lajme

Këtë javë, Kuvendi i Kosovës mbanë dy seanca

Sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku edhe janë dakorduar për seancat e ardhshme.

Në këtë mbledhje janë vendosur dy seanca për këtë javë të cilat do të mbahen në ditë të ndryshme.

Njëra prej seancave do të mbahet në ditën e mërkurë kurse, tjetra në ditën e enjte.

 “Kryesia vendosi që të mërkurën, më 1 shkurt 2023, në orën 12:00, Kuvendi të mblidhet në seancë plenare, për të vazhduar me shqyrtimin dhe votimin e pikave të mbetura nga disa seanca të kaluara. Ndërkaq të enjten, më 2 shkurt, në orën 10:00, do të mbahet seancë e re plenare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Krahas kësaj, thuhet se në seancën e së enjtes do të zhvillohet raundi i dytë për votimin për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësore të Kosovës.

 “Kështu, të enjten, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të zhvillojë raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të vijuar me votimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive”.

 Seanca e Kuvendit do të vijojë edhe me shqyrtimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për energjinë elektrike.

“Seanca e Kuvendit do të vijojë me shqyrtimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë, me nr.17/121 datë 25.01.2023, si dhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Pjesë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020”.

Tutje thuhet se seanca pritet të përfundojë më shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, si dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

/Shqip.com