Lajme

Këtë javë caktohen datat për betimin e kryetarëve të rinj të komunave të veriut

Foto ilustruese
Mitrovica e Veriut

Në tri komunat e veriut, pritet që gjatë kësaj jave të përcaktohen datat për betimin e kryetarëve të rinj. Derisa Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal thotë se po bashkërendon aktivitetet, opozita kërkon që betimi i kryetarëve të rinj në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq të mos improvizohet.

Datat për betimin e kryetarëve të zgjedhur të tri komunave veriore pritet të vendosen deri në fund të javës. Nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kanë thënë se janë në pritje të propozimeve nga kryetarët.

“Deri në fund të javës pritet që të bëhen publike datat për seancat tjera dhe betimin e kryetarëve, ne jemi në pritje të propozimeve nga kryetarët. Ministri Krasniqi ka pasur takime të rregullta me katër kryetarët e zgjedhur dhe jemi në bashkërendim për përgatitjet e nevojshme dhe afatet ligjore siç parashihen me ligj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për RTK-në.

Rreth kësaj çështjeje ka folur të hënën edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se betimi i kryetarëve të rinj në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq nuk duhet të improvizohet por ministria dhe institucionet e sigurisë duhet të krijojnë kushte për mbajtjen e këtyre seancave sipas rendit kushtetues.

Ndërsa, sekretari organizativ i kësaj partie, Betim Gjoshi, të dielën ka reaguar ndaj Qeverisë duke thënë se dy kryetarët e komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe në Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë të Qeverisë.

Megjithatë, pretendimet për presion nuk janë komentuar nga zyrtarë të MAPL-së.

Nga katër kryetarët e zgjedhur më 23 prill, është betuar vetëm ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Ndërsa Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci kanë kohë deri më 28 maj ta japin betimin, në të kundërtën e humbasin mandatin.

Zgjedhjet në Veri u mbajtën më 23 prill, ndërsa rezultatet u certifikuan më 28 prill, teksa 28 maji u vendos si afati i fundit për ta dhënë betimin.

/Shqip.com