Lajme

Këta janë zyrtarët e Qeverisë Kurti që nuk e deklaruan pasurinë

Qeveria Kurti 2

Sot gjatë ditës është bërë publike lista e zyrtarëve të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë apo që e kanë deklaruar pasurinë pas kohe.

Në këtë listë të publikuar bëjnë pjesë edhe pjesëtarë të Qeverisë Kurti.

Fillimisht në krye të listës së zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë tre këshilltarë politik në zyrën e kryeministrit.

Bëhet fjalë për Valon Osamani që mban pozitën e këshilltarit Politik të Zëvendëskryeministrit të parë, pas tij vjen Laslo Domjan që mban pozitën e këshilltarit të Jashtëm Politik të Zëvendëskryeministrit të parë dhe Omer Balic që mban pozitën e këshilltarit Politik të Zëvendëskryeministrit të tretë në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Po ashtu janë bërë publike edhe lista me zyrtarët publikë që e kanë deklaruar pasurinë pas kohës.

Në mesin e tyre janë Kaltrina Zeka që mban pozitën e këshilltares së Lartë e Zëvendëskryeministrit të parë, Blerta Graiçevci që mban pozitën e këshilltares Politike e Zëvendëskryeministrit të parë dhe Daut Ese që mban pozitën e këshilltarit të Jashtëm Politik të Zëvendëskryeministrit të tretë.

Pasurinë pas kohës e kanë deklaruar edhe disa zyrtarë të Ministrisë së Kulturës,Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministrisë së Planifikimit Hapësinorë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas kohe pasurinë e kanë deklaruar Edon Ramadani që mban pozitën e këshilltarit të Operës në kuadër të MKRS-së, Gent Zeqiri që mban pozitën e këshilltarit Politik në Ministrinë e Planifikimit Hapësinorë si dhe Agime Gashaj që mban pozitën e shefes së kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes./Shqip.com