Lajme

Këta janë shqiptarët që humbën jetën tragjikisht në Gjermani nga rrëzimi i skelës

Katër të rinj shqiptarë të vdekur dhe një në gjendje kome në spital është bilanci i një aksidenti tragjik në punë në një kantier ndërtimi në Hamburg të Gjermanisë. Skela ku ata punonin në një lartësi të konsiderueshme në një objekt në ndërtim u shkëput dhe përfundoi në gropën e ashensorit. Katër punëtorët shqiptarë, sipas raportimeve nga autoritetet gjermane, kanë humbur jetën menjëherë në vendin e ngjarjes.

Albert Zorba, 31 vjeç nga Elbasani, Astrit Xheka, 35 vjeç nga Dibra, Rruzhdi Hoxha, 33 vjeç, nga Kukësi dhe një tjetër person nga Mati i paidentifikuar ende, kanë humbur jetën.

Në foto Astrit Xheka, një nga shqiptarët që humbi jetën

Një tjetër shqiptar, Alfred Visha nga Mati, 33-vjeç, është në koma në spitalin gjerman dhe gjendja e tij paraqitet kritike. Mësohet se lëndimet që ka marrë në trup janë kërcënuese për jetën.

Në foto Alfred Visha, ndodhet në koma në spital dhe Albert Zorba i cili humbi jetën

Grupi i punëtorëve shqiptarë ishin në Gjermani me pasaporta false bullgare, gjë e cila solli edhe identifikimin me vështirësi të tyre, ndërsa tek punëdhënësi, shtetas nga Kosova, punonin në të zezë. Administratori i kompanisë është shpallur në kërkim nga policia gjermane.

Besohet se numri i shqiptarëve që kanë humbur jetën në skelën që u shemb është pesë, të gjithë të regjistruar me dokumenta bullgare. Mbrëmjen e djeshme është nxjerrë nga rrënojat një tjetër trup.

Ngjarja tragjike ndodhi teksa shqiptarët po punonin për ndërtimin e një pallati në zonën e HafenCity. Mendohet se ka ende viktima nën rrënoja dhe po punohet për nxjerrjen e trupave.

700 punëtorët që punojnë çdo ditë në kantierin e madh të ndërtimit të qytetit Hafen u urdhëruan të evakuoheshin menjëherë në vendin ku ndodhi tragjedia. Skela ku po punonin shqiptarët në katin e tetë të një pallati u shemb dhe ra në një bosht ashensori.

Ngjarja e rëndë ndodhi 2 ditë më parë, teksa shqiptarët po punonin për ndërtimin e një pallati në zonën e HafenCity.

Si ndodhi aksidenti?
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së hënës rreth orës 9:10 me orën lokale në kantierin e ndërtimit në Überseequartier. Një skelë me disa punëtorë ndërtimi në të ra nga kati i tetë në një bosht ashensori të brendshëm. Shërbimet e urgjencës që mbërritën fillimisht gjetën tre të vdekur dhe një punëtor me lëndime të forta të rrezikshme për jetën. Sipas zëdhënësit të zjarrfikësve, operacioni në kantier ishte gjithashtu i rrezikshëm për jetën e zjarrfikësve. Vendi i ndërtimit u evakuua plotësisht.

Hetimet
Ende është e paqartë se përse është shembur skela. Specialistët e Policisë Kriminale të Shtetit kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Senatori i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote (SPD) shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. “Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për të gjithë të afërmit e viktimave”, shkroi ai në platformën X (ish Twitter). Në të njëjtën kohë, ai ka falenderuar edhe shërbimet e urgjencës.

Ky nuk është aksidenti i parë i rëndë që ndodh në punë në Hamburg. Më 2 shtator 4 punëtorë ranë nga skelat në një aksident të ngjashëm në një kantier ndërtimi në urat Elba, Hamburg, jo shumë larg Hafencity, të cilët u plagosën dhe disa prej tyre ishin në rrezik për jetën.

/Shqip.com