Lajme

Këshilltari i kryeministrit grek: S’do ta njohim Kosovën

Thanos Dokos

Këshilltari i kryeministrit grek për sigurinë kombëtare, Thanos Dokos, në Forumin Delphi që po mbahet në Greqi, ka treguar se pse shteti i tij abstenoi për Kosovën në Këshill të Europës.

Ai tha se këtë e bënë për shkak të “qetësimit të tensioneve”, por se nuk do ta njohin Kosovën.

“Ne menduam se ishte mirë për zbatimin e shtetit të së drejtës dhe për të qetësuar tensionet midis dy palëve. Ende nuk e kemi njohur Kosovën dhe as nuk do ta bëjmë. Mundohemi të jemi sa më konstruktivë”, tha Dokos.

Dokos shtoi se Serbia në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ka premtuar se nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe se Athina i është referuar kësaj gjatë votimit në Këshillin e Europës.

“Shpresoj që miqtë tanë serbë të kujtojnë se ne i kemi përkrahur në këtë me vite të tëra”, tha Dokos, shkruan agjencia e lajmeve kroate Hina.

Këshilli i Europës i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës pasi 33 vende anëtare ishin pro, shtatë kundër dhe pesë abstenuan.

Në Serbi e patën problem ta pranojnë qëndrimin e Greqisë si një shtet mosnjohës për pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se është i zhgënjyer me qëndrimin e Greqisë dhe këtë ia ka përcjellë Qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare më 21 maj.

/Shqip.com