Lajme

Këshilltari i Bislimit: Asnjëherë nuk është thënë se ky plan është marrëveshje finale

Këshilltari politik i Besnik Bislimit, Klisman Kadiu ka thënë se asnjëherë nuk është thënë se plani i Bashkimit Evropian është marrëveshje finale.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kadiu thotë se ky shkrim nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“1. Në asnjë moment nuk është thënë se ky plan, është marrëveshje finale. 2. Ky dakordim i tekstit, nuk nënkupton themelimin e Asociacionit”, shkroi Kadiu.

Ai thotë se marrëveshja finale e ka njohjen reciproke në qendër dhe brenda saj nuk do të ketë Asociacion.

“Për këto çështje të ngritura, qëndrimi i palës kosovare është i qartë dhe i pastër: a) marrëveshja finale e ka njohjen reciproke në qendër; b) asociacion nuk do të ketë. Funksionarë politik nga PDK, akoma nuk po mësohen me idenë se mund të arrihen dhe marrëveshje që nuk janë dëm të interesave të shtetit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan të hënën me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti.

Arsyeja ishte, sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij.

Megjithatë, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

/Shqip.com