Sport Shqiptar

Këshilli kombëtar konfirmon hetimet për dy ndeshjet e Superligës së Kosovës

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimim e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka konfirmuar se ndeshjet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina po hetohen pas dyshimeve për kurdisje.

“Këshilli për Sport me vëmendje të shtuar e ka përcjellë zhvillimin e ndeshjeve të xhiros së fundit të Kampionatit të Kosovës në Futboll, duke përfshirë edhe reagimet e shumta të opinionit sportiv në relacion me dyshimet për kurdisjen eventuale të rezultatit të dy ndeshjeve të Superligës së futbollit”, thuhet në një njoftim të Këshillit për Sport.

“Këshilli për Sport e njofton opinionin publik se çështjet në fjalë i ka trajtuar me urgjencë, dhe dyshimet për kurdisje të rezultatit në dy ndeshjet e sipërshënuara të futbollit janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme”, thuhet tutje në njoftim.

/Shqip.com