Këshilli i Prindërve kërkon shtim të forcave policore në shkolla – pas sekuestrimit të armëve, drogës dhe thikave në Ferizaj

Në pesë muajt e fundit në shkollat e Ferizajit nga Policia janë sekuestruar 5 armë zjarr, dy armë-gjysmë automatike, 40 thika, 10 boksa metali , Mulli për bluarje të marihuanë 6 copë, – Shufra metali, 4 copë, dhe Elektro shok, 1 copë.
E këtë situatë është duke e konsideruar shqetësuese, kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi për SHQIP.com, i cili kërkojë shtim të forcave policore në shkolla.
“Lajmi është shumë shqetësues që konfirmon edhe brengën e prindërve. Prezenca e policisë duhet të jetë e pashmangshme se paku në orare të caktuara dhe në ambiente afër shkollave”, ka thënë ai.
Ai tha se një pjesë të fajit kanë edhe prindërit.
“Por megjithëmend e pabesueshme sa keq jemi me vetëdijesim dhe mbikëqyrje të fëmijëve. Nuk mund të pretendohet që fëmijët të menaxhohen vetëm nga mësimdhënësit e policia. Ata mund të ndihmojnë, por prindërit duhet të rrisin thellësisht angazhimin”.
Ndryshe, gjatë këtij aksioni të policisë në shkollate e Ferizajt janë shoqëruar në polici , dyzetë (40) persona me dyshimin se kanë përdorur narkotikë dhe ndaj tyre janë iniciuar raste në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore të Ferizajt.
Po ashtu është bërë e ditur se gjithashtu janë ndaluar dhe shoqëruar në polici edhe njëzetë (20) persona me dyshimin se kanë shitur narkotikë ( marihuanë) dhe ndaj tyre janë inicuar raste penale për Prokurorinë Themelore të Ferizajt./Shqip.com