Lajme

Këshilli i Prindërve ka një kërkesë për prindërit lidhur me pushimin e fundvitit

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar lidhur me pushimin dimëror të nxënësve.

Përmes një postimi në faqen  e tyre zyrtare, KPK-ja ka dalur me disa propozime lidhur me pushimin dimëror.

“E kemi menduar të përshtatshme, e për këtë kemi pasur shumë kërkesa nga prindërit (sidomos nga Prishtina) që të ndryshohet pushimi i fundit të janarit 2023. Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën”, thuhet në propozimin e KPK-së.

Kjo kërkesë e KPK-së, iu është drejtuar MASHTI-t për të cilën thuhet se nuk ka ekzistuar vullneti.

“Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Por, Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë. Por përkundër që gjykojmë se pushimi i menduar në fund të janarit e jo në fillim të tij, nuk është zgjidhja e dëshiruar dhe më e mira për prindërit e nxënësit, ju ftoj, prindër të nderuar, që ta respektoni këtë vendim dhe më 4 janar të vazhdojë mësimi”.

Mësimi do të fillojë me 4 janar dhe kërkohet që fëmijët të mos mungojnë në shkollë për shkak se do të komplikohet procesi mësimor.

“Shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune. Andaj mungesa e nxënësve vetëm jua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, për çka nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar. (Kuptohet që ky fakt nuk mund të krahasohet me mësimin e planifikuar gjatë të shtunave, kur edhe prindërit edhe fëmijët e edhe mësimdhënësit e kishim pushim me legjislacionin në fuqi”.

Tutje, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka uruar një vit të mbarë për gjithsecilin.

/Shqip.com