Lajme

Këshilli i Prindërve: Disa vende kanë 4 ditë punë, tek ne cilësohen të mundshme 6 ditë mësim

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka dal me një reagim publik duke thënë se politikbërësit në Kosovë po gjykojnë se gjashtë ditë mësim janë të mundshme.

Sipas KPK-së kjo po bëhet pa qenë dakord nxënësit, prindërit por edhe mësimdhënësit.

“Ndërsa politkbërësit e arsimit në Kosovë po gjykojnë që gjashtë ditë rresht mësim janë të mundshme e nuk ka rëndësi a janë dakord për këtë fëmija e prindërit por edhe mësimdhënësit. Ne vazhdojmë të këshillojmë se politikbërja (sidomos në sistemin arsimor) e ka parakusht të domosdoshëm diskutimin shterrues nga të gjitha palët hisedarë e të interesit për çdo çështje të rëndësishme që prek fëmijët, prindërit e mësimdhënësit dhe gjithë sistemin edukativ e arsimor”.

Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka thënë se do të vazhdohet të bëhen lëvizje me efekte penguese e pa perspektivë në arsimin publik

“Pa dakordësi e pajtueshmëri të argumentuar ne do të vazhdojmë së bëri lëvizje të çrregullta, me efekte shumëanshmërisht penguese, pa perspektivë shpresëdhënëse se arsimi publik në këtë vend mund (e do) të dalë nga prapambeturia, jokoherenca e padobishmëria”.

KPK-ja gjithashtu, bëri një krahasim me vendet e botës të cilat kanë legjitimuar katër ditë punë dhe tri ditë pushimi.

“Janë disa shtete me organizim të lartë institucional e intelektual që po e legjitimojnë javën me katër ditë punë e tri ditë pushim. Belgjika, Islanda, Irlanda, Zelanda e Re, Japonia, Spanja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njihen deri tani si të tilla. Shumë shtete të tjera, por edhe ndërmarrje private, pritet ta përqafojnë së shpejti këtë ndryshim. Arsyeja kryesore: moslodhja e mosmërzitja por kreativiteti e mirëqenia psikofizike e të punësuarve”.


Para një jave, MASHT-i kishte nxjerrë kalendarin e ri, e që përfshinte edhe zëvendësimin e orëve të humbura nga greva.


Kalendari i paraqitur ngjalli reagime të shumta nga mësimdhënësit, por edhe nga Këshilli i Prindërve të cilat janë deklaruar se nuk mbahet mësim me zor.

/Shqip.com