Lajme

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë sugjeron parimet bazë për themelimin e Asociacionit

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj temës kryesore të ditëve të fundit, çështjen e themelimit të Asociacionit.

Sipas këtij këshillit, për krijimin e Asociacionit duhet të zbatohen 3 parime që kanë të bëjnë me moscënimin e Kushtetutës së Kosovës, struktura të mos jetë një-etnike dhe që nuk mund të trajtohet si e shkëputur nga marrëveshja finale.

“Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, KASH sjell në vëmendje se themelimi i kësaj Bashkësie ka mbetur çështje e hapur nga viti 2015 dhe kjo ka ndodhur për shkak të druajtjes së arsyeshme në Prishtinë se ai entitet mund të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe funksionalitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Për të shmangur një rrezik të tillë, çdo veprim apo proces eventual lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të ketë për bazë tri parime themelore:

Së pari, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të cënojë parimet themeltare kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është sovraniteti, epërsia e kushtetutës dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës.

Së dyti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të jetë strukturë një-entike dhe as pushtet i ndërmjetëm në mes të nivelit qëndror dhe komunave të caktuara.

Së treti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga marrëveshja përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane dhe të pavarura që e njohin njëra tjetrën si të tilla”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Këshilli i Ambasadorëve.

Tutje, ata shprehin bindjen e plotë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, do të sillet si shtet i përgjegjshëm, që ruan interesat shtetërore dhe aleancat strategjike, i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe integrime Euro-Atlantike.

/Shqip.com