Lajme

KESCO: Vetëm 7% e konsumatorëve u prekën nga tarifat e reja për muajin shkurt

Faturat e energjisë elektrike.
Faturat e energjisë elektrike.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se në bazë të analizave të bëra për faturat e shkurtit, rreth 93 për qind e konsumatorëve nuk janë prekur nga tarifat e reja të energjisë elektrike.

Sipas KESCO kjo ka ndodhur edhe për shkak se njehsimi i faturave me tarifa të reja kishte filluar nga data 9 shkurt.

“Kjo ka ndodhur pasi KESCO me miratim të ZRRE-së, në faturat e muajit shkurt, më datën 9 shkurt njehsimin e ka filluar nga 0 kWh dhe kjo ka bërë që 93% e konsumatorëve të mos preken nga çmimet e reja, sepse konsumatorët nuk e kanë tejkaluar 800kWh, që është njehsuar me tarifat e vjetra, të para datës 9 shkurt”, thuhet në njoftim.

KESCO

Nga KESCO njoftojnë se ka filluar periudha kur janë në fuqi tarifat e reja, me çmime të reja, dhe iu bëhet apel konsumatorëve të kenë kujdes në kontrollimin e shpenzimeve.

“Dihet që tashmë, për të gjithë konsumatorët e amvisërisë bllok-tarifa fillon nga shpenzimi mbi 800kWh. Në këto rrethana, lusim konsumatorët të kenë kujdes maksimal në kontrollimin e shpenzimit, pasi për shpenzimet mbi këtë sasi tarifat janë dukshëm më të larta”, thuhet në njoftimin e KESCO./Shqip.com