Kërkonte lëmoshë tek tavolina e ministrit Peci, vajza largohet me forcë nga lokali
Në rrjetet sociale po qarkullon një video në të cilën shihet një vajzë e komuniteteve RAE e cila po kërkonte lëmoshë.
Por, puna e saj ditore kishte rastisur pranë tavolinës së ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, Faton Pecit ku po pinte kafe së bashku me një person tjetër.
Në prezencën e ministrit Peci, vajza u largua në mënyrë jo të zakonshme dhe me forcë nga kamarieri i lokalit.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe vetë ministri Peci përmes një postimi në Facebook i cili thotë se distancohet nga ky akt.
“Së pari, distancohem nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti. Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej “veprime skandaloze”. I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali”, shkroi Peci.
Peci nuk e quan vetën përgjegjës të veprimeve të individëve të tjerë duke nënkuptuar që nuk ka përgjegjësi as për veprimet e kamerierit në fjalë.
“Nga ana tjetër, unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht. Siç rëndom ndodh, së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa “Rugovista” të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz”.
Lidhur me videon në fjalë ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar lidhur me një video të shfaqur në rrjete sociale kohëve të fundit.
“Ngjarja e fundit ku shihet qartë mënyra e vrazhdë se si largohet një fëmijë nga radhët e komuniteteve nga lokali pa asnjë arsye është shqetësuese dhe e papranueshme për të gjithë. Unë, angazhohem çdo ditë që të luftohet dhe raportohet racizmi. Sjellje si këto nuk kanë vend në mesin tonë!”, u shpreh Krasniqi.
Përveç reagimit të Krasniqit, sjellja e kamerierit ndaj vajzës së vogël ka ngjallur reagime të shumta.
/Shqip.com