Lajme

Kërkohet paraburgim për personin që sulmoi një grua në market në Prishtinë

Burri që sulmoi një grua në market.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit F.B., për shkak se dyshohet që ka kryer veprën penale “sulmi”, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, Prokuroria ka bërë të ditur se i akuzuari, më 24 tetor 2021, në një market në Prishtinë, dyshohet se ka sulmuar me grushte një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore.

Lexo edhe:
Burri që rrahu një grua në Prishtinë dërgohet në mbajtje

Po ashtu, Prokuroria ka treguar se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, teksa njofton se i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej  48 orësh.

“Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, pamjet ku shihet personi duke sulmuar viktimë në një market në Prishtinë janë publikuar mbrëmjen e së hënës në media.

Ai shihet në një market, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët .

Në pamjet e publikuara, i dyshuari fillon të ushtrojë dhunë fizike ndaj viktimës e cila po ashtu ishte duke blerë ushqim./SHQIP.com