Lajme

Kërkohet hetim për votat e ardhura nga diaspora

Ilustrim

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e këtij komisioni të mbajtur të martën kanë kërkuar të hetohen votat të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, për shkak të dyshimeve për manipulime.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, ka thënë se i ka parë disa nga fletëvotimet që po ruhen në Ministrinë e Transportit dhe sipas tij, duket qartë se një numër të madh i ka shkruar i njëjti person.

“Sot isha në Ministri të Transportit edhe i kam parë, duket qartë që disa nga këto fletëvotime të dhënat aty i ka plotësuar i njëjti person. Prandaj këto kërkojnë një hetim dhe të verifikohen në qoftë se këta persona janë regjistruar”.

“Është mëse e nevojshme që këto aplikime t’i nënshtrohen një verifikimi nga KQZ-ja. Duhet të bëhet një hetim dhe të kemi një raport në bazë të qyteteve nga ku kanë ardhur ato”.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thanë se janë pro këtij propozimi.

Në anën tjetër, kryeshefi Ekzekutiv i Sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj njoftoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është pranuar i gjithë materiali i ndjeshëm nga të gjitha komunat.

Ahmetaj tutje bëri të ditur se numërimi i votave me kusht do të marrë kohë.

“Numërimi i votave me kusht na merr kohë, ndoshta pas dy ditëve do të mund të fillojmë me numërimin e tyre sepse na duhet t’i regjistrojmë të gjithë votuesit e rregullt, pastaj votuesit me kusht dhe t’i bëjmë krahasimet”./SHQIP.com