Lajme

Kërkohet caktimi i paraburgimit për dy personat rreth vrasjes në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore e kësaj komune që të caktojë paraburgim ndaj dy personave pasi kanë privuar nga jeta një person teksa ishte në dyqanin e tij.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore, dy personat dyshohen për kryerjen e veprave “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë  – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit me iniciale G.R., dhe M.H., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ilustrim.

“Të njëjtit, natën e mbrëmshme më datë 28 dhjetor 2021, gjatë grabitjes së një dyqani ushqimor në rrugën “Mbretëresha Teutë“ në Mitrovicë, kanë privuar nga jeta pronarin e dyqanit me iniciale A.M”, thuhet më tej në njoftim.

Të dyshuarit për momentin janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh.

Ndërsa, trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë./Shqip.com