Lajme

Kërcënimet e Tahirit ndaj Bislimit, Prokuroria nis hetimet

Një repikë e ashpër është zhvilluar në seancën e sotme parlamentare, ku u përfshinë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Sipas Bislimit, shefi i deputetëve të PDK-se, Abelard Tahiri e ka kërcënuar këtë të fundit në Kuvend dhe për këtë arsyje e ka ftuar prokurorinë të veprojë.

“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të doja që Prokuroria të merret me këtë rast”, tha Bislimi.

Lidhur me kërkesën e zëvendëskryeministrit Bislimi, Policia e Kosovës është autorizuar të ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me kërcënimin e pretenduar të Bislimit.

Nisjen e procedurës hetimore në lidhje me rastin, për Shqip.com, e ka konfirmuar zëdhënsja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, tha për Shqip.com, Laureta Ulaj.

Edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte reaguar rreth gjuhës së Tahirit drejtuar Bislimit.

“Pak minuta më parë isha edhe unë dëshmitar, pas mbylljes së mikrofonit, nga ulësja e tij, Abelard Thairi kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Ftoj prokurorinë që të trajtojë kërcënimin e një personi që ka mbajtur armë shurdhuese për shumë vite”, tha Murati.

/Shqip.com