Lajme

Kërcënimet e Listës Serbe për daljen nga institucionet kosovare konsiderohen si joserioze

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq edhe një herë ka “penguar” daljen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Kësaj radhe, arsyeja për  “gatishmërinë e tyre” për të braktisur institucionet kosovare është se Prishtina nuk është duke lejuar votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit në Kosovë. 

Kurse analistët vlerësojnë se braktisja e institucioneve në këtë periudhë nuk është në interesin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq shkaku edhe i situatës në Ukrainë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri deklaron se kërcënimet e Listës Serbe për braktisjen e institucioneve nuk janë serioze ngase ata nuk kanë pavarësi në vendimet e tyre. 

Thotë se ata kontrollohen nga sistemi politik i cili është në Beograd.

“Lista Serbe është në gjendje të marrë vendime të rëndësishme. Ajo është pjesë e një rrjeti specifik të kushteve dhe presioneve të ndërsjella në trekëndëshin ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ai nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit në Kosovë, por, sipas tij, kjo varet ekskluzivisht nga interesat e presidentit serb, Vuçiq, sepse “vetëm ai ka fuqi të krijojë një situatë të tensionuar me udhëzime të drejtpërdrejta”.

“Për shkak të situatës në Ukrainë, nuk është momenti i volitshëm për të bërë diçka të tillë. Përfaqësuesit serbë mund të ngrijnë funksionet e tyre në shenjë proteste, por edhe ky do të ishte gjithashtu një opsion afatshkurtër”, tha Muhaxhiri.

Kurse bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve në Kosovë po vlerësohet se po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Dushan Radakoviq, drejtor i organizatës joqeveritare Qendra për avokimin e kulturës demokratike në Mitrovicën e Veriut, tha se marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe Qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë kurrë më keq.

Radakoviq thotë se kryeministri i Kosovës, Kurti, vetëm se po i largon institucionet e Kosovës nga serbët, por sërish e konsideron “të pamatur” kërkesën e Listës Serbe për tërheqje prej tyre.

Ai, gjithashtu, thekson se me zhvillime të tilla, Kosova dhe Serbia vetëm sa po largohen edhe nga tryeza e bisedimeve, si dhe nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve. /Shqip.com