Lajme

Këngë, valle e çiklizëm – kështu u festua Pavarësia e Kosovës në Prishtinë

Festimi i Pavarësisë së Kosovës

Për nder të 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë parakaluar të enjten së bashku me Policinë e Kosovës në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Pas ceremonisë, në sheshet e kryeqytetit nisi festa me këngë e valle nga qytetarë të shumtë.

Tingujt e tupanave mblodhën të rinjë e të moshuar të cilët nisën të vallëzonin në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Për të festuar 14 vjetorin, një mërgimtare nga Zvicra kishte marrë rrugë për në Kosovë.

“Kemi ardhë prej Zvicrës, dolëm pak ta festojmë Pavarësinë e Kosovës është hera e parë që na ka qëllu këtu ta festojmë. Kam ardh enkas për pavarësi”, tha ajo për Shqip.com.

Gjithashtu, për ta shënuar këtë ditë të rëndësishme, grupi i çiklistëve “Kosova Bike” ka organizuar një event.

Faik Zeneli për Shqip.com, tha se qëllimi i organizimit është për të sensibilizuar opinionin për të vozitur më shumë biçikleta.

“Sot për hir të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e kemi organizu këtë event. Itinerari është i shkurtë relativisht shtatë kilometra. Destinacioni është rrugët kryesore të Prishtinës. Është natyrë festive nk ëhstë natyrë garuese. Janë të ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë prej moshës 16 vjeç e plus të pajisur me helmeta dhe mjete mbrojtëse. Ta japim një sensibilizim për opinionin që të vozisin sa më shumë biçikletë dhe të festojmë së bashku”, tha Zeneli.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik./Shqip.com